Paketa fiskale 2027: Nga ulja e çmimeve, taksat për pronat bosh dhe bastet online, Malaj jep detajet
Ministri i Financave, Petrit Malaj, prezantoi detaje të paketës fiskale 2027, që parashikon ndryshime në TVSH, taksimin e karburanteve dhe pronave, ndërsa hapja e basteve online shtyhet sërish.

Qeveria po përgatit mekanizma të rinj për monitorimin e çmimeve të karburanteve dhe produkteve ushqimore, me synim që uljet e taksave të parashikuara në paketën fiskale 2027 të reflektohen te konsumatorët. Ministri i Financave, Petrit Malaj, gjatë diskutimeve në Komisionin e Ekonomisë, dha detaje për ndryshimet në TVSH, taksën e qarkullimit, taksimin e apartamenteve bosh dhe uljen e pragut të regjistrimit të bizneseve në TVSH.
Karburantet, në diskutim një Bord Transparence i përhershëm
Një nga masat që po shqyrtohet është krijimi i një mekanizmi të përhershëm për monitorimin e çmimeve të hidrokarbureve, në mënyrë që ulja e taksës së qarkullimit të reflektohet në çmimet e shitjes së karburanteve.
Paketa fiskale parashikon zhvendosjen e taksës së qarkullimit nga karburantet te taksat e mjeteve, ndërsa sipas Malajt, ulja që duhet të reflektohet në çmimin e karburanteve është 32.4 lekë për litër.
“Ka disa mekanizma që po shqyrtohen nga qeveria. Së pari po mendojmë për një monitorim të tregjeve oligopol siç është tregu i hidrokarbureve që do të monitorohet për reflektimin e uljes së taksës së qarkullimit me 32.4 lekë. Po diskutohet nëse do të ketë një Bord Transparence permanent për të monitoruar çmimet e hidrokarbureve”, deklaroi Malaj.
Sipas ministrit, qëllimi është të shmanget situata kur ulja e barrës fiskale nuk pasqyrohet në çmimet që paguajnë qytetarët.
TVSH-ja për 54 produkte ushqimore ulet nga 20 në 6 për qind
Nga janari i vitit 2027, qeveria parashikon uljen e TVSH-së nga 20% në 6% për 54 produkte ushqimore të shportës. Ministri i Financave tha se do të ketë monitorim të shtuar për të garantuar që ndryshimi i normës tatimore të reflektohet në çmimet për konsumatorët.
“Paralelisht po përdorim edhe teknologjinë për të analizuar çmimet nga prodhuesi, importuesi në treg, për të parë çmimet, që të reflektohet TVSH-ja”, tha Malaj.
Ndërkohë, paketa fiskale parashikon rritjen e normës standarde të TVSH-së nga 20% në 21%. Sipas ministrit, kjo masë synon të kompensojë pjesërisht efektin në buxhet nga ulja e TVSH-së për produktet ushqimore.
“Rritja e TVSH-së standarde mundohet të kompensojë uljen e TVSH-së që ne do të bëjmë për produktet e shportës, dhe nuk e mbulon plotësisht. Rritja e TVSH-së në 21% sjellë 10.6 miliardë lekë në buxhet, dhe nga ulja e TVSH për ushqimet, humbja është 12.8 miliardë lekë”, deklaroi Malaj.
Sipas këtyre përllogaritjeve, rritja e TVSH-së standarde pritet të gjenerojë 10.6 miliardë lekë të ardhura, ndërsa ulja e normës për ushqimet do të ketë një efekt negativ prej 12.8 miliardë lekësh në buxhet. Diferenca ndërmjet dy masave është rreth 2.2 miliardë lekë.
Taksa për apartamentet bosh në Tiranë, rreth 40 mijë prona në fokus
Qeveria po përgatit ndryshime në ligjin për taksat vendore, me synim vendosjen e një takse shtesë për apartamentet e pabanuara në Tiranë. Sipas të dhënave të përmendura gjatë diskutimit, masa mund të përfshijë rreth 40 mijë prona.
Synimi i deklaruar është kufizimi i informalitetit në tregun e qiradhënies, veçanërisht për apartamentet që jepen me qira afatshkurtër përmes platformave digjitale.
“Edhe në ligjin për taksat vendore do të vendosim një taksë për apartamentet që janë bosh dhe do të jetë i detyruar ose ta deklarojë që e jep me qira afatshkurtër, ose do ta deklarojë bosh dhe do të paguajë taksën mbi pronën. Po punojmë me disa mekanizma”, tha Malaj.
Ministri sqaroi se po punohet për sigurimin e të dhënave mbi të ardhurat që realizohen nga qiradhënia përmes platformave Airbnb dhe Booking, si dhe nga aktivitetet e zhvilluara përmes rrjeteve sociale.
“Ne do të kërkojmë informacion automatik nga bankat për të ardhurat që marrin nga këto platforma, por jo vetëm, edhe nga Instagram, Facebook etj. Në momentin që marrim këtë informacion nga bankat, do të jemi në gjendje të kryqëzojmë të ardhurat që marrin këta individë”, deklaroi Malaj.
Kryqëzimi i të dhënave nga platformat dhe bankat synon identifikimin e të ardhurave të padeklaruara nga individët që japin prona me qira.
Mekanizmat konkretë të zbatimit të taksës së apartamenteve bosh mbeten në proces hartimi.
Ulet pragu i TVSH-së për bizneset, nga 10 në 5 milionë lekë
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm i paketës fiskale 2027 është ulja e pragut të regjistrimit në TVSH për bizneset. Nga janari i vitit të ardhshëm, parashikohet që bizneset me xhiro mbi 5 milionë lekë të përfshihen në regjimin e TVSH-së, nga mbi 10 milionë lekë që është pragu aktual.
Sipas Ministrisë së Financave, kjo masë synon kufizimin e shmangies tatimore dhe pritet të sjellë rreth 4.5 miliardë lekë të ardhura shtesë në buxhet.
Gjatë diskutimit, deputeti Erion Braçe kërkoi sqarime mbi nivelin e shmangies tatimore që ka krijuar pragu aktual prej 10 milionë lekësh.
“Ka pasur raste të shkeljeve në bazë të kontrolleve të ushtruara nga tatime, duke qenë se fasha është e lartë krijonte hapësira për shmangie tatimore. Kemi llogaritur që në buxhet do të vijnë 4.5 miliardë lekë vetëm nga ulja e TVSH-së”, u përgjigj Malaj.
Ministri u pyet gjithashtu për kostot që do të përballojnë bizneset e vogla pas përfshirjes në regjimin e TVSH-së. Ai deklaroi se administrata tatimore ka përgatitur modulet e nevojshme dhe se softueri do të ofrohet pa pagesë.
“S’do kenë kosto për softuerë do të ofrohet nga administrata tatimore. Sa i takon përllogaritjes së TVSH-së këtë e mundëson vetë sistemi i fiskalizimit. Nuk do të ketë kosto administrative”, tha Malaj.
Bastet online shtyhen sërish, qeveria rishikon ligjin
Gjatë diskutimeve për paketën fiskale, opozita ngriti edhe çështjen e basteve sportive, duke theksuar se aktiviteti vijon në informalitet dhe nuk gjeneron të ardhura për buxhetin e shtetit.
“Prej 7 vitesh në buxhet të shtetit nga bastet nuk ka fituar, nuk i keni të ligjëruara, dhe sot është plotësisht informal dhe të gjithë këtë faturë po ja faturoni biznesit të ndershëm”, deklaroi Cara.
Ministri i Financave konfirmoi se, megjithëse kuadri ligjor dhe vendimet përkatëse të Këshillit të Ministrave janë përfunduar, qeveria ka vendosur ta rishikojë përsëri ligjin përpara nisjes së aktivitetit.
“Ne kemi mbaruar të gjithë kuadrin ligjor sa i përket basteve online, VKM-të respektive. Qeveria po e rishikon edhe një herë ligjin për të pasur një mbikëqyrje të kujdesshme për të mos pasur probleme sociale. Pasi të mbarojë rishikimi i ligjit aktual do të fillojë operimi i lojërave të fatit”, tha Malaj.
Ligji për bastet sportive online u miratua në shkurt 2024, ndërsa kuadri ligjor u plotësua me të gjitha aktet nënligjore 28 muaj më vonë. Megjithatë, konkurrimi për dhënien e licencave ende nuk është hapur.
Legjislacioni parashikon dhënien e 10 licencave dhe lejon zhvillimin e aktivitetit vetëm në internet, përmes identifikimit të pjesëmarrësve me kartë identiteti. Pikat fizike të basteve sportive u mbyllën më 1 janar 2019.
Ministri nuk dha një afat konkret për hapjen e basteve online, duke e kushtëzuar nisjen e aktivitetit me përfundimin e rishikimit të ligjit dhe forcimin e mekanizmave të mbikëqyrjes.
Ndryshimet e prezantuara në paketën fiskale 2027 mbeten propozime që duhet të kalojnë procedurat përkatëse të miratimit përpara hyrjes në fuqi.
Burimi: Shqiptarja
Më të lexuarat






k.jpg)